"Të rinjët nuk kanë çka të hanë": 2022 vit me turbulence në Bujanoc


Viti i kaluar ishte veçanërisht i trazuar për serbët dhe shqiptarët në Bujanoc. Siç thonë bashkëbiseduesit e portalit të Koalicionit për Transparencë të Jugut të Serbisë (KTJS), problem të përbashkëta për të gjithë banorët e këtij qyteti në jug të vendit janë papunësia, mungesa e vendeve të punës, migrimi, sidomos i të rinjve, drejt vendeve perëndimore. Me një fjalë – mungesë perspektive në Bujanoc.

Miodrag Milkoviq, kryetar i Degës së Partisë së Fshatarëve dhe drejtor i Stacionit Veterinar në Bujanoc, thotë për KTJS se problemet më të mëdha të kësaj komune janë "papunësia dhe ekonomia".

"Prioriteti mbi prioritetet është papunësia, absolutisht. Edhe emigracioni. Njerëzit u zhgënjyen me qëllimet e shpallura – që nëse vendosim stabilitet politik, do të pasojë zhvillimi ekonomik, gjë që nuk ndodhi. Gjithçka ishte një mjegull. Pasoi emigracioni, më i theksuar në Bujanoc dhe Preshevë, sidomos të rinjtë. Të rinjtë nuk kanë çfarë të hanë. Ata kërkojnë para nga prindërit për të dale në mbrëmje, dhe tëmartohen dhe të krijojnë familje. Me çfarë?", pyet Milkoviq.

Sipas tij, këtu nuk rrezikohen të drejtat e njeriut.

"Qytetarët e Bujanocit janë të kërcënuar nga varfëria, por ka edhe shembuj të pensionistëve që pas punës jashtë vendit janë kthyer për të jetuar këtu, por janë shumë pak. Unë i njohë ndoshta shtatë apo tetë pensionistë të tillë. Jeta këtu është më lirë, kështu që pensioni i fituar jashtë u mjafton për tëjetuar në jug të Serbisë", beson Miodrag Milkoviq.

Sipas pronarit të Televizionit Spektri nga Bujanoci, Nexhat Beluli, serbët dhe shqiptarët në këtë komunë tani kanë një problem të përbashkët – mungesën e perspektivës.

"Serbët dhe shqiptarët në Bujanoc kanë një problem të përbashkët – nuk ka punë, nuk ka perspektivë, dhe ka migrim të fortë, gjegjësisht emigracion. Shqiptarët po shkojnë në Gjermani dhe Zvicër, kryesisht të rinj. Shumë prej tyre janë larguar, shumë prej tyre presin vizat. Të rinjtë serbë që studiojnë në Nish ose Beograd më nuk kthehen. Në Bujanoc mbetën vetëm të moshuarit", thekson Beluli.

 

 

Shteti nuk mendon për jugun – sipas fjalëve të bashkëbiseduesit tanë – posaçërisht jo më në jug se Vranja.

 "Në Bujanoc dhe Preshevë nuk keni asnjë investitor të huaj, kështu që ky rajon është lënë në mëshirën e Zotit, inflacioni po rritet e me të edhe çmimet, që ngadalë, në heshtje, në mënyrë të padukshme, kjo pjesë e Serbisë po shuhet. Të rinjtë kanë humbur shpresat dhe vetëm ata duan të marrin vizën për në Gjermani sa më shpejt. Tani këtu ka më shumë shkolla për mësimin e gjuhës gjermane sesa shkolla fillore dhe të mesme", shton pronari i Televizionit Spektri.

Siç shpjegon ai, ka shumë shembuj të pensionistëve nga jashtë që kthehen në vendlindjen e tyre në Bujanoc, por ata nuk qëndrojnë gjatë këtu.

Pensionistët që kanë punuar jashtë kthehen, vijnë një muaj apo dy këtu dhe kthehen atje, sepse atje kanë fëmijët, nuk kanë më askënd këtu. Kanë shtëpi, banesa dhe prona të tjera në Bujanoc, por vijnë këtu vetëm si turistë", shpjegon Nexhat Beluli.

Sipas Belulit, të rinjtë largohen nga Serbia jugore për shkak të një të ardhmeje të pasigurt, por edhe sepse "ata nuk duan të dëgjojnë histori dhe premtime politike".

"Tani kishit një shembull – zgjedhjet për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve. Sa njerëz dolën? As 20 përqind. Ky është një tregues i mjaftueshëm që të rinjtë nuk duan të jetojnë këtu. Të rinjtë nuk janë të interesuar për problemet politike", thekson Beluli.

 

 

Ai thotë se politikanët në Bujanoc "e luajnë rolin kinse janë disa faktorë politikë dhe askush nuk i pyet për asgjë".

"Aq sa i fërkojnë sytë njerëzve këtu për të bërë diçka, për ta mbajtur popullin pezull për tema si dygjuhësia, Kosova apo shkëmbimi i territoreve. Pak nga pak disa kërkojnë reciprocitet, që atë që marrin serbët në Kosovë duhet ta marrin edhe shqiptarët në jug të Serbisë dhe në fakt numri i banorëve në Bujanoc po zvogëlohet", përfundon Nexhat Beluli.

Sociologia Dragana Rashiq ka shpjeguar dukurinë e ikjes së popullsisë në një prononcim për portalin Danas. Ajo vuri në dukje dy arsye themelore që çojnë në këtë fenomen – "centralizimi" dhe "lëvizja natyrore dhe mekanike e popullsisë për shkak të një sistemi të paqëndrueshëm shoqëror".

"Në përputhje me thënien 'sa më në jug, aq më e trishtuar', jugu dhe lindja e vendit janë bosh. Serbia nuk është i vetmi vend që vuan nga shtimi natyror, por vendet e tjera të zhvilluara e kompensojnë këtë mangësi natyrore pikërisht me njerëzit tanë dhe të gjithë ata që kërkojnë një jetë më të mirë", ka theksuar Ristiq për Danas.

Ai është i mendimit se "më së shpeshti të rinjtë largohen nga brendësia e Serbisë sepse udhëhiqen nga qëndrimi se në Beograd 'gjithçka' është mbi të gjitha punë".

"Arsyeja e dytë është emigrimi i popullsisë jashtë vendit, sepse paqëndrueshmëria sociale dhe politike, në radhë të pare ekonomike, nuk mund të ofrojë as paga të mira dhe as një të ardhme të sigurt. Dhe një të ardhme që mbulon nevojat themelore njerëzore", tha sociologu nga Zajeçari.

Ky tekst është shkruar me mbështetjen e komunës së Bujanocit, në kuadër të projektit "2022 vit i Turbulencës në Bujanoc". Pikëpamjet e shprehura në tekst nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.